Jul 05

Kira Iorgoveanu-Mantsu : Poezia që kapërcen kufijtë (Naim Zoto)

Catégorie : Habari/NewsEditeur @ 10:30 am

Si një i pasionuar pas poezisë dhe botimeve, sa herë që lexoj libra, mundohem të shenjoj apo të heq mënjanë poezitë më të bukura. Natyrisht, në një libër, për shembull, me rreth 100 poezi (dhe këtu e kam fjalën për poetët e vërtetë), më ka qëlluar që të përzgjedh 5 deri 10 të tilla. 

Nga qindra vëllime poetike që kam lexuar, të rrallë kanë qenë ato që t’u kthehem e t’i rilexoj, kurse poezitë që do të desha t’i mësoj përmendësh apo citoj shpesh vargje a strofa të tyre kanë qenë edhe më të pakta. Gjithashtu, nuk kam besuar se do vinte dita të më binte në dorë një libër prej të cilit nuk guxon të seleksionosh pothuaj asnjë prej tyre. Sepse, të gjitha poezitë janë “antologjike”, “the best”. Dhe, për më tepër, që poezitë dhe autorja e tyre i përket një populli dhe një gjuhe gati të harruar, i shpërndarë nëpër botë si një meteor. Kush mund ta ngrinte më bukur në art fatin e këtij populli tragjik dhe jo vetëm të tij! 

Po, nuk është rastësi që autorja është femër (Fjalët, rroba të nderura në tel:/ Copëra të shpirtit tim!); që është ngjizur dhe fermentuar në Ballkan (Në bregun e Egjeut/ Dëgjoj të gjitha gjuhët e Ballkanit!/ Por gjuhën time – gjëkundi); nuk është rastësi që i përket një populli pothuaj të sakrifikuar nga historia: (Sot mbrujta një bukë/ Deri më sot e pambrujtur:/ Kripë s’kish’ nevojë të kishte/ Çdo loti im kripë do të ishte!); nuk është rastësi që ajo i përket një race “shtegtare”, gjithnjë në lëvizje, gjithnjë në kërkim, jo të egos së saj siç është moda e artit të ditës, por të identitetit të humbur apo të fshirë (Jam, ndoshta, e vetmja/ Poete në botë që/ Këngë të vdekura lind!). Ajo është pjesë sa e lirizmit aq edhe tragjedisë (U mblodhët kokë më kokë/Dhe e bëtë me fjalë/ Të më fusni në dhé…/ Pa mëshirë…:/ Vëllezër nuk jeni me ne!); ajo është sa pjesë e së kaluarës, po aq e së sotmes dhe, njëkohësisht, projeksion i së ardhmes (Në gojën e panginjur të kohës që s’pyet,/ Unë ditët i hedh një e nga një!)

Më vjen keq, dhe jam i zilepsur, që kjo poete nuk është shqiptare; sepse mund të ishte, por më ngushëllon fakti që është si ne, ballkanase: (Një gjysh dhe një gjyshe flasin/ Me nipin: greqisht!/ Një gjysh dhe një gjyshe i këndojnë/ Nipit: bullgarisht!/ Një gjysh dhe një gjyshe/ E përkëdhelin nipin: shqip!/ Një gjysh dhe një gjyshe/ I këndojnë nipit: rumanisht!/ Një gjysh dhe një gjyshe të çuditur vështrojnë:/ Nipin që qan në aromanisht!). Kjo është poetja e madhe aromune, Kira Iorgoveanu-Mantsu, që e sjell mjeshtërisht në gjuhën shqipe poeti Spiru Fuchi: (Ne jemi rrënja,/ Por pema nuk është e jona…/ Ne jemi themeli,/ Të tjerë e gëzojnë shtëpinë…/. 

Natyrisht, shumica e “patriotëve” të saj, pra, arumunët, apo vllehët siç njihen nga shqiptarët, e konsiderojnë Kira Iorgoveanu-Mantsu poete të tyre. “Për ne, aromunët, dhe për mua vetë, Kira Iorgoveanu-Mantsu është flamur”, vlerëson kritiku aromun Jorgji Vrana. Kurse Mihal Prefti thotë se “Kira Iorgoveanu-Mantsu, ndali Kohën për etninë e vet, dhe hapi rrugën drejt lirisë”. 

Por Kira është shumë më tepër se kaq, madje, duke nisur edhe nga jeta e saj: E lindur, në 22 shtator 1948, në një fshat rumun, me gjyshër të ardhur nga Greqia (Kavalla) dhe nga Bullgaria, zhvendosur në Rumani rreth viteve 1930, Kira do të krijonte familjen e vet në vitet ’86 në Freiburg, Gjermani, ku jeton edhe sot. Ndërsa si frymë dhe teknikë, letërsia e Kira-s është krejt tjetër nga poezia tradicionale kombëtariste: Kira Iorgoveanu-Mantsu është një metaforë e shumëfishtë dhe disakatëshe, ku fati i arumunit është njëkohësisht edhe fati i tjetrit; i shqiptarit, grekut, maqedonasit e me radhë, deritek fati i njerëzimit: (Është vonë sot përmbi botë/ Dhe i ftohti të shemb…/ Është vonë të tregojmë/ Se ç’na dhemb…). Dhe pas këtyre dy shkallëve rezulton se “alarmi” ngjitet në nivele sipërore, në shkallë globale: nga individi, tek bashkësia, pastaj tek të fati i të gjithëve: (Unë mërgimtare prej mijëra vitesh,/ Atdheun që nuk e gjej gjëkundi…”). Kira Iorgoveanu-Mantsu u këndon humbjeve të mëdha të kësaj bote (vendlindja, atdheu, identiteti, origjina-liteti etj.) që janë humbje për të gjithë dhe jo vetëm për atë që i humb i pari. 

Poezia e Kira-s është aq inteligjente sa arrin të kapërcejë provincën dhe kufijtë, duke u bërë pjesë e letërsisë dhe e kujtesës estetike dhe historike botërore. Urime shtëpisë botuese “M&B” për këtë botim me vlerë dhe të denjë për bibliotekat e lexuesit shqiptar. 

Naim Zoto

Laisser une réponse